Gjykata e Apelit ka marrë vendim për kthimin në rigjykim të rastit të njohur si “53-milionëshi”, duke anuluar dënimin e mëparshëm të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit.
Me këtë vendim, Apeli ka aprovuar si të bazuara ankesat e mbrojtjes dhe ka urdhëruar rigjykimin e çështjes në Departamentin Special të Gjykatës Themelore.
“APROVOHEN si të bazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve Pal Lekaj avokat Artan Qerkini, Nebih Shatri avokat Florent Latifaj, Eset Berisha avokat Afrim Salihu, Besim Tahiri avokat Urim Vokshi, dhe ankesa e vet të akuzuarit Eset Berisha, e sipas detyrës zyrtare, ANULOHET aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti Special PS.nr4./2022 të datës 31.01.2024, dhe çështja penale kthehet në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet në vendimin e Apelit.
Më 31 janar 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur vendimin e saj, ku Pal Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burgim, Eset Berisha me 3 vite e 3 muaj burgim, ndërsa Nebih Shatri dhe Besim Tahiri me nga 1 vit e 8 muaj burgim.
Po ashtu, ndaj tyre ishte shqiptuar ndalim i ushtrimit të funksioneve publike për periudha të ndryshme.
Të akuzuarit ngarkohen nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me ndarjen e 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel & Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit.
Vendimi i Apelit për kthimin në rigjykim nënkupton se procesi do të rifillojë, duke u shqyrtuar përsëri provat dhe argumentet e palëve.