Plot 42 fluturime janë anuluar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” në dy ditët e para të këtij viti. Shkak për këtë ishte mjegulla e dendur. Kjo ka shkaktuar pakënaqësi dhe nervozizëm të udhëtarët shqiptar e të huaj, të cilët thonë se ky aeroport nuk u dha kurrfarë shpjegimi. Kujtojmë që vetëm dy javë më parë, ministri i infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se ditët kur fluturimet anuloheshin për shkak të mjegullës, kanë mbetur histori.
Zhurma po i ndihet, por mjeti fluturues nuk duket.
Kjo ishte dukshmëria të enjten në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.
Si pasojë e mjegullës së dendur, shumë fluturime u anuluan.
E shumë të tjera, u shtynë për disa orë.
Kjo gjendje e krijuar, nervozoi udhëtarët.
“Sot vjen shoqja, mbrëmë e ka pas fluturimin, kurse e kanë anuluar, as nuk kanë treguar as kurrgjë, me kanë thirre dikur krejt vonë, anulohet fluturimi”, ka thënë mërgimtari nga Gjermani, Fatmir Kabashi.
Kabashi thotë se në raste të ngjashme, trajtohen ndryshe në Gjermani.
“Ju shpjegojnë, çohen udhëtarët neper hotele, del dikush i prezanton, ua shpjegon situatën, arsyet e anulimit apo defektit”, ka deklaruar ai.
E fat të njëjtë patën edhe të huajt që natën e Vitit të Ri e kaluan në Kosovë.
“Unë jam nga Turqia ndërsa fluturimi ynë i mbrëmshëm u shtye për disa orë e më pas u anulua. Pegasus nuk na ofron qëndrimin në hotel, ushqim apo transfero. Kërkuam taxi por hotelet ishin të mbushura, jemi dy vajza, çfarë të bëjmë? Kërkuam opsione të tjera, tani po presim. Aeroporti nuk po na ndihmon, nuk na dha asnjë shpjegim”, ka thënë qytetarja nga Turqia, Mervenur Puca.
E dikush tjetër doli në aeroport disa orë më herët.
“Për me u sigurua që fluturimi do të realizohet erdha më herët, mora vesh që ka anulime dhe vonesa, për këtë arsye. Nëse sot nuk do të fluturoj, nesër e kam ditë punë dhe më paraqet problem”, ka thënë mërgimtari, Bekim Haxhiu.
E fat më të mirë, duket se patën ata që të enjten u kthyen nga Gjermania.
“Nuk kishte vonesa, pak ka pasur shkaku i turbulencave dhe mjegullës por mirë kemi ardhur”, ka thënë qytetari nga Kosova, Xhavit Shamolli.
Nga ky aeroport, kanë thënë se në ditën e parë të vitit janë anuluar plot 38 fluturime.
Ndërsa të enjten, fat të ngjashëm patën 4 sosh.
Sipas zëdhënëses së aeroportit, Valentina Gara dukshmëria ka qenë nën 50 metra, duke e pamundësuar realizimin e fluturimeve.
Por një gjë të tillë po e mohojnë njohësit e aviacionit.
Për këtë, Arlind Imeri, të enjten doli vet në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës.
“Na këtu jemi diku rreth 50 metra larg nga kamera dhe dukshmëria është e mjaftueshme për të ateruar dhe për të fluturuar nga Prishtina drejt destinacioneve të tjera. Pra, 50 metra janë të mjaftueshme për të ateruar, por ka raste kur bie edhe më shumë. Ndërsa me pajisjet që ministri Aliu i ka promovuar që po funksionojnë, nuk ka problem për të ateruar në këtë aeroport”, ka deklaruar Imeri.
Sipas Imerit, pajisjet që u blenë së fundmi për t’i eliminuar këto probleme, Qeverisë së Kosovës i kushtuan miliona euro.
“Me 19 dhjetor, ministri Liburn Aliu e ka bërë një njoftim që aeroporti i Prishtinë ka kaluar në kategorinë 3B, që dmth fluturimet mund të realizohen në dukshmëri më të ulët se 50 metra, pa pasur ndonjë problem. Kjo dukshmëri sot është më shumë se 50 metra, mirëpo është e paqartë a po funksionojnë ato pajisje, pasi sot dukshmëria është mbi 100 metra”, tha ai.
Ndryshe vetëm dy javë më parë, ministri i infrastrukturës, Liburn Aliu, ditët kur fluturimet anuloheshin për shkak të mjegullës, tashmë kanë mbetur në histori.