Shkruan Spartak Ngjela
Kjo kohë tani është e vërtetuar se është koha e shqiptarëve.
Dhe për pesë orë mbyllet viti 2024.
Ishte një vit i bukur, dhe në të njëjtën kohë shqiptarëve u ndihu edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, por edhe në Maqedoninë e Veriut dhe, edhe në Çamërinë martire.
Viti 2025 pritet të jetë një vit i suksesshëm për të gjithë shqiptarët, kudo ku ata po luftojnë për vendin e tyre: edhe në Maqedoninë e Veriut, edhe në Çamëri.
I.
Unë nuk e duroj dot pesimizmin, dhe uroj që ne shqiptarët të jemi të gëzuar dhe optimistë në të tre shtetet shqiptare: edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, por edhe në Maqedoninë e Veriut; dhe, sidomos, edhe në Çamërinë tonë martire që tani ka shpresën e madhe të krijimit të shtetit e vet, deri në bashkimin me Shqipërinë e saj të dashur.
Sepse…
Kjo kohë tani është e vërtetuar se është koha e shqiptarëve.
Historia e popujve që çlirohen nga zgjedhat shumëvjeçare ka një rregull të përgjithshëm që thotë: frymën e një populli të çliruar nga vargonjtë e shtypjes askush nuk mund ta ndalojë dot në bashkimin e tij.
Dhe këtë e provoi edhe shqiptaria me Kosovën, dhe tani ajo po pret që ta provojë realisht edhe me Maqedoninë e Aleksandrit të Madh, e cila sot quhet Maqedonia e Veriut – por gjithashtu edhe me Çamërinë.
Dhe duhet të kemi bindjen se kjo është koha jonë, dhe këtë duhet ta dinë që t’u japë kurajë edhe liderëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, e në Çamëri.
Shqiptaria e kaloi mbijetesën shekullore, dhe ajo tani është e gjitha drejt jetës së lirë.
II.
Por pikërisht për këtë, të dy shtetet shqiptare që janë në Gadishullin Ilirik duhet të jenë të bashkuar në ndihmën që duhet t’i japin Maqedonisë së Veriut dhe Çamërisë.
Çdo qeveri në Shqipëri dhe në Kosovë sot duhet të udhëhiqet nga ideja e bashkimit të etnisë shqiptare në Gadishullin Ilirik. Sepse kjo është një detyrë historike.
Dhe, në të gjithë këtë përpjekje, ne shqiptarët duhet të kujtohemi se edhe aleatet tanë të mëdhenj, këtë bashkim, e kanë në interesin e tyre politik, si bashkimin e etnisë shqiptare.
Por sa është sot e gjithë etnia shqiptare?
Etnia shqiptare në Gadishullin ilirik ka një sipërfaqe prej rretj 120 000 k2 dhe është me një popullsi prej 9 milionë shqiptarësh.
Dhe për këtë duhet të jemi të qartë historikisht që, nëse etnia shqiptare që është ende jashtë të dy shteteve shqiptare në Gadishullin Ilirik, do bashkohet dhe do krijojë një shtet të tretë, kjo do të quhet faza e tretë e rikrijimit të pavarur etnik të shqiptarisë, pas fazës së dytë që triumfoi me pavarësinë e Kosovës.
Dhe duhet ta kuptojmë se është pikërisht kjo Fazë e Tretë e Shqiptarisë që e ka shqetësuar deri në panik edhe Serbinë, edhe Maqedoninë e Veriut, por sigurisht edhe Malin e Zi.
Prandaj, për faktin që koha e sotme po kërkon shkëlqimin e shqiptarisë, ajo do të shkëlqejë me intelektin dhe me gjuhën e saj shqipe.