Jovan Kostadinov nga Vinica është një nga heronjtë e tragjedisë së madhe që goditi Maqedoninë e Veriut, kur në diskotekën Puls në Koçan në agimin e së dielës shpërtheu zjarri, duke vrarë 59 persona dhe duke plagosur pothuajse 200.
19-vjeçari në momente kaosi, frike dhe paniku ka arritur të hyjë në disko dhe të shpëtojë 21 të rinj.
Në shumë postime në rrjetet sociale, qytetarët falënderojnë Jovanin, për të cilin thonë se është “heroi i heshtur” i dramës që ka mbuluar në errësirë gjithë Maqedoninë e Veriut, e admirojnë atë dhe u bëjnë thirrje autoriteteve t’i japin medalje guximi.
“Ai ishte jashtë gjatë zjarrit, arriti të gjente ujë aty pranë, lau bluzën që veshi në fytyrë dhe pa hezitim hyri brenda në një dhomë anësore për të shpëtuar njerëzit”, thuhet në një nga postimet në rrjetet sociale, sipas TV Sitel nga Shkupi.
Një nga nënat e një fëmije të plagosur nga zjarri falënderoi publikisht Jovanin duke shkruar:
“Në momentet më të errëta të panikut dhe kaosit, kur të gjithë ishin të hutuar dhe të frikësuar, Jovani u shfaq si fener shprese. Ai pa menduar e mori djalin tim që ishte nën rrënojat e diskotekës dhe e mbajti në shpinë nëpër zjarr dhe tym, deri në spitalin e Koçanit, për ta shpëtuar, ndërsa të gjithë rreth tij vrapuan dhe luftuan për jetën e tyre”.
Shumë qytetarë që e njohin Jovanin e cilësojnë si një hero që rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar të tjerët dhe luten për mirëqenien e tij, pasi ai u shtrua në Toksikologji për shkak të thithjes së tymit dhe tani është në gjendje të qëndrueshme.