Merina Syla, një vajzë 15-vjeçare shqiptare që jeton në Strasbourg të Francës, ishte zhdukur që prej 14 marsit, por fatmirësisht u gjet dje.
Sipas familjarëve, ajo ishte përballur me dhunë dhe bullizim nga bashkëmoshatarët e saj në shkollë. Sot në “Shqipëria Live”, ka folur nëna e saj, Selvi Ukaj, e cila tregoi se ka bërë denoncime që në vitin 2022 për bullizimin dhe dhunimi ne të bijës.
Nga ana tjetër, ajo shtoi se videot e dhunës i pa për herë të parë kur Merina u zhduk.
“Vajza është më mirë se dje, është pak më e qetë por ende e frikësuar. Nuk e di pse ka ndodhur bullizimi. Nuk e di pse e kanë dhunuar. Në pamjet që shihen, aty janë grup që e bullizojnë. Mendoj se është çështje xhelozie. Ato janë fëmijë të çnjerëzuar, e them me plot gojë. Jemi ankuar disa herë. Kam bërë denoncim që në vitin 2022. Në shkollë më thoshin ankohu në polici, në polici e neglizhojnë shumë, kur jemi të huaj. Ata fëmijë nuk besoj se janë franceze, mendoj se janë nga shtetet orientale.
Vajza ime këto gjëra nuk na i ka treguar, është munduar ti menaxhojë vetë, siç ajo ka ditur. Kur ajo u zhduk, mora shoqet e saj në telefon dhe ato më treguan se çfarë ndodhi. Unë i kam publikuar këto video dhe më kanë kërcënua për këtë, për faktin që e kam nxjerrë me fytyrë atë vajzën që dhunon time bijë.
Shoqet më kanë thënë që ajo nuk tregonte nga frika e bullizimit të mëtejshëm dhe ka menduar se mund ta menaxhonte vetë situatën. Vajza mbrëmë ka ardhur në shtëpi, ka fjetur deri vonë dhe sigurisht që do ketë takim me psikolog. Ajo tani ka vetëm nevojë për dashuri dhe qetësi.”– tregoi ajo.