Një incident ka ndodhur sonte në afërsi të Fushë-Mëzez në Tiranë, ku një i mitur ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit.
Policia ka bërë të ditur se rreth orës 20:30, është paraqitur në spitalin e Traumës 15 vjeçari, i cili dyshohet se është plagosur me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta.
“Më datë 30.01.2025, rreth orës 20:30, është paraqitur në spitalin e Traumës një i mitur 15 vjeç, i cili dyshohet se është dëmtuar me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta, në Fushë-Mëzez. I mituri ndodhet nën kujdesin e mjekëve”, ka njoftuar policia.
Aktualisht i mituri ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe i është nënshtruar një operacioni pasi plumbin e ka marrë në krahëror, ndërsa shërbimet e Policisë së bashku me grupin hetimor po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.
Top Channel ka raportuar se policia ende nuk e di të qartë vendngjarjen ku ka ndodhur plagosja dhe në ç’rrethana, pasi 15-vjeçari ka shkuar në banesë i plagosur dhe më pas i ati e ka dërguar në spital.