Përhapja e gjuhës shqipe ishte një stafetë që kaloi nga Rilindja Kombëtare tek Kongresi i Manastirit, i cili nisi më 14 nëntor 1908. Në këtë kongres elita shqiptare dëshmoi prirje për kompromis, vëllazëri fetare dhe maturinë e nevojshme për barazi gjinore, me pjesëmarrjen e Parashqevi Qiriazit.
Mbi bazën e këtyre vlerave evropiane, kongresi sendërtoi identitetin kombëtar që shpuri para veprimtarinë politike, e cila kulmoi me shpalljen e pavarësisë.
Në kongres u zhvillua mbledhja e Komisionit për Çështjen e Alfabetit, ku morën pjesë një grup intelektualësh shqiptarë të kohës. Synimi i mbledhjes ishte arritja e njehsimit të alfabetit që do të përdorej për shkrimin e gjuhës shqipe. Kongresi i mbajti punimet deri më 22 nëntor 1908, data kur shqiptarët e shqipfolësit kujtojnë “Ditën e Alfabetit”.
Në përmbyllje, Komisioni mbi çështjen e “Abecesë” doli me vendimin:
“Pas që u-kënduan verbalet e ditëve t’jera e pas që e pamë se puna që kishim bërë ishte mjaft e madhe, po jo a që sa të na kënaqte të gjithëve e t’i shërbente si përparimit të gjuhës, si të përhapurit të diturisë ndër ne, të shtyrë edhe nga disa shkaqe të përjashtme, u-këthyem prapa e me pëlqim të të gjithëve u-vendos që të mirret Abeja e Stambollit e me të bashkë edhe Abece fjesht latine, që të mësohen e të përdoren bashkarisht në mest të Shqypëtarëvet. Mësimi ndë shkollë do të jetë i shtrënguar e i detyrueshëm për të dyja.”