Kanë kaluar dhjetë ditë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, përderisa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka arritur t’i numëroj të gjitha votat për subjektet politike e as për kandidatët për deputetë.
Në ueb faqen e KQZ-së potencohet se deri më tani janë numëruar 99.72% të votave, pa i përfshirë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës, me ç’rast VV-ja ka fituar 40.84% të votave, PDK-ja 22.05%, LDK-ja 17.67% dhe AAK-ja 7.45%.
Vonimi i shpalljes së rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shkaktuar shqetësime të konsiderueshme në opinionin publik.
Problemet teknike gjatë procesit të numërimit të votave, përfshirë gabime në sistemet elektronike dhe vonesa në përpunimin e të dhënave, kanë shtuar dyshimet mbi transparencën dhe saktësinë e rezultatit përfundimtar.
Kjo ka krijuar një atmosferë pasigurie dhe ka ngritur pyetje për mundësinë e manipulimit të procesit zgjedhor, duke minuar besimin e qytetarëve në integritetin e zgjedhjeve.
Të martën, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media ka folur edhe për hetimet që po ndodhin nga Prokuroria rreth dyshimeve të ngritura për parregullsi në zgjedhje dhe për problemet që kanë ndodhur me faqen e KQZ-së në natën e 9 shkurtit.
Elezi ka thënë se adresa për pyetje rreth hetimeve është Prokuroria e Shtetit dhe vetëm ata mund të flasin për procesin e hetimit, ndërkohë që ka shtuar se KQZ është e gatshme të ofrojë të gjitha materialet e nevojshme që i nevojiten Prokurorisë për hetimin.
“Është prokuroria që mund t’iu japë përgjigje për natyrën e hetimeve që është duke i zhvilluar. Ne si KQZ ofrojmë të gjitha materialet e nevojshme për hetimin”, ka thënë Elezi.
Sipas Elezit deri në numërimin përfundimtar duhet të pritet edhe për numërimin e votave me kusht, të diasporës, si dhe votave të personave me nevoja të veçanta.
“Deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare KQZ-ja duhet të të bëjë numërim e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votat nga diaspora”.
Elezi tutje ka treguar se 12 mijë e 801 vota me kusht do të verifikohen dhe më pas numërohen.
“Votimi me kusht dhe atyre i personave me nevoja të veçanta, numri i zarfeve me fletëvotime nga vendvotimet me kusht është 12 mijë e 801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2 mijë e 597”, ka thënë ai.
Ai tha se deri më tani janë aprovuar 26 mijë pako me fletëvotime nga votimi me postë teksa janë refuzuar 2 mijë sosh.
“Është duke vazhduar procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës , respektivisht nga votimi përmes postës. Nga data 9 shkurt kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më tani, këtij procesi i janë nënshtruar rreth 28 mijë e 99 pako, prej të cilave janë aprovuar 26 mijë e 13 ndërsa janë refuzuar 2 mijë e 57. Arsyeja pse janë refuzuar këto dërgesa postare, është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës, u mungon dëftesa e regjistrimit apo janë dërguar më shumë se një herë”, ka thënë Elezi.